Krraba

1.        Vështrim i përgjithshëm

Territori i Krrabës shtrihet në pjesën juglindore të qytetit të Tiranës, midis rrjedhës së mesme të lumenjve Erzen dhe Shkumbin.
Zona e Krrabës është ndër zonat kodrinore më të njohura në vendin tonë, me lartësi që luhaten nga 200-300m deri në 700-900m.
Territori i saj ka potencial mjedisor dhe turistik, duke u radhitur në zonat e pëlqyera nga vizitorët që admirojnë natyrën. Zhvillimi i
turizmit malor në Krrabë mbështetet në veçoritë atraktive të kësaj zone si ajri i pastër dhe i freskët, format morfologjike të kodrave dhe
vargjeve malore si dhe biodiversiteti i pasur.

Gjuetia përbën një element shumë të rëndësishëm që favorizon turizmin malor dhe sportiv duke u bërë një burim të ardhurash për
biznesin vendas.
Nga ana tjetër, zona e Krrabës të ofron dhe të papritura që përbëjnë sfida për turistët aventurierë dhe ushtrimin e sporteve me
adrenalinë, si rafting, kanoe, alpinizëm, biking, hiking etj.

2.        Histori

Qyteza e Krrabës e krijuar me vendosjen e sistemit monist me ekonomi të centralizuar e ka  zanafillën në vendburimin e qymyrgurit të
Krrabës. Ky vendburim ndodhet në juglindje të kryeqytetit rreth 28 km larg tij.
Shfrytëzimi i minierave të qymyrit në këtë zonë ka filluar që në vitin 1916 nga austro-hungarezët për qëllime farkëtarie ushtarake.
Punimet e para për shfrytëzimin nëntokësor filluan më 1935 nga shoqëri sipërmarrëse shqiptare, prodhimi i të cilës arrinte 2000 ton/vit.
Në fillim punonte vetëm një galeri me punëtorë që vinin nga fshati Skuterrë.

Në vitin 1945 u rimëkëmb si ndërmarrje shtetërore dhe filloi nxjerrjen e qymyrgurit afër sipërfaqes me punime të cekëta, me oxhaqe dhe
më pas u kalua më sistemin e shfrytëzimit me ballë të plotë. Në 1957 nisi shfrytëzimi masiv i minierës dhe në Krrabë u sollën rreth 2000
punëtorë nga gjithë vendi duke e kthyer në një qytezë të vogël.
Miniera e Krrabës ka punuar rregullisht deri në vitin 1990, pas këtij viti ajo filloi të dilte jashtë funksionit derisa u mbyll në vitin 2000.

3.        Atraksione

Syri i Ciklopit
Syri i Ciklopit ose siç i thonë ndryshe Gjurma e Ciklopit ndodhet rreth 4 km poshtë Krrabës, në fshatin e quajtur Skuterrë, në luginën e
lumit Erzen. Ai është rreth 20 m i gjerë dhe 120 m i thellë si një perlë e fshehur në grykën e Krrabës. Një humnerë e vogël rri në fund të
shkëmbinjve të Krrabës, dhe poshtë saj është një liqen me ujë të kristaltë, në formë zemre.
Një degë e Lumit Erzen, rrjedh në formën e një katarakti të vogël, e bashkë me formacionet e shumta të shkëmbinjve krijojnë një
peizazh përrallor. Mund të thuhet pa frikë se kjo pikë natyrore është një nga zbulimet e fundit të bëra nga aventurierët e natyrës.

Gryka e Murdharit
Kjo grykë ndodhet në verilindje të Krrabës dhe është formuar nga përroi me të njëjtin emër, degë e majtë e lumit Erzen.
Gryka e Murdarit ka gjatësi rreth 1 km, thellësi rreth 100m dhe gjerësi rreth 30 m duke marrë trajtën e një kanioni mjaft interesant. Ajo
ka shpate të thepisura gati vertikale me guva e shpella karstike të vogla, pak të veshura me bimësi, duke dhuruar pamje fantastike për
adhuruesit e natyrës.

Kjo grykë përbën një ekosistem interesant karstik. Tek ky monument i natyrës shkohet duke ndjekur rrugën Tiranë- Mushqeta- Krrabë
(qytezë).

Shpella e Mbytjes
Kjo shpellë e ndodhur në zonën e Krrabës ka një hyrje të vogël në fillim e cila zgjerohet e lartësohet deri në 15 m.Shumëllojshmëria e
stalaktiteve dhe stalagmiteve të formuara në shpellë, kanë krijuar atë që quhet “Tempulli i shpellës”.
Për të shkuar tek “Shpella e mbytjes” ndiqet rruga Tiranë- Skuterrë. Pastaj rruga vijon në këmbë rreth 2 orë deri tek shpella.

Lapidari i Krrabës
Lapidari është një monument historik që i kushtohet aksionit të ndërmarrë nga një njësit i Batalionit “Dajti” më 2 shtator 1943 gjatë të
cilit u kap rob një regjiment i ushtarëve gjermanë dhe u asgjësuan mbi 40 prej tyre.
Vepra është realizuar në beton të derdhur duke formuar dy kolona pingul me njëra tjetrën në plan.

4.        Ekonomi dhe mjedis
Zona e Krrabës, para viteve ’90 ka qenë qendër e minierës së qymyrgurit, e cila sot është në konservim që prej vitit 2000. Në vitin 1975
u ngrit ferma e krimbit të mëndafshit, produkti i të cilit përdorej vetëm për tregun e brendshëm, në shërbim të industrisë së lehtë tekstile
dhe veshjeve.

Blegtoria ka qenë traditë zhvillimi që në kohët më të vjetra. Sipas gojëdhënave, emri i fshatit Skuterrë vjen pikërisht nga “bari dhënsh”.
Bimësia e kësaj zone është mjaft e pasur. Ajo përfaqësohet kryesisht nga brezi i shkurreve mesdhetare me gjelbërim të përhershëm dhe
gjetherënëse si dhe pyjeve të dushkut. Shkurret më të përhapura janë mare, shqopë, shkozë, mëllenjë, mënishtje, xinë, etj.
Pasurisë së natyrës të zonës së Krrabës i shtohet edhe shumë llojshmëria e bimëve mjekësore të tilla si: murrizi, lule briri, bar blete,
hithra, çaj mali, kamomil, trëndafil i egër, rozmarinë, dafinë, mëllagë pylli, lule basami, etj.
Fauna në territorin e Krrabës i është përshtatur relievit malor, klimës dhe bimësisë. Në këtë zonë takohen gjitarët grabitqarë si ujku,
dhelpra, kunadhja. Përveç tyre hasen derri i egër, lepuri i egër, ketri, etj. Nga shpendët përmenden: skifteri, shqiponja mbretërore e
malit, fajkoi, kukuvajka, qyqja, harabeli, bufi, qukapiku, thëllëza e malit, etj.  

5.        Traditë

Veshje Popullore
Veshjet popullore të zonës së Krrabës janë mjaft interesante. Lashtësia e tyre vërtetohet në disa elementë të këtyre veshjeve të
dokumentuara në zbulimet arkeologjike siç janë vargonjtë  e mesit, tirqet, kallcet, që përdoren në kostumet e nuseve të malësisë Krrabës.
Në veshjet e burrave të malësisë së Krrabës spikat xhoka e zezë me krahë dhe pa krahë. Përveç këtyre kjo zonë është mjaft e njohur
për punimin e çorapeve me motive karakteristike, etj.