Ndroqi


1.        Vështrim i përgjithshëm

Ultësira kodrinore mes Tiranës dhe Durrësit ndahet nga dy korridore gjeografikë: gryka e Vorës dhe lugina e Ndroqit, ndër të cilat kalojnë
dy rrugët natyrale që lidhin Durrësin me fushën pjellore të Tiranës dhe me malësitë e thella të Martaneshit, Krujës, Matit dhe Dibrës.

Fshati Ndroq ndodhet në luginën e përshkuar nga lumi Erzen, në mes të rrugës automobilistike që lidh Tiranën me Durrësin. Ndroqi i
vjetër ndodhet më në jug. Lagjet e tij ngrihen mbi një grumbull kodrash me ullinj. Mbi kodrën dominuese ngrihet kalaja (387 m mbi
nivelin e detit). Lagjja më e madhe, sipas gjurmëve, ka qenë Varoshi, në juglindje të kalasë. Në kodrat rreth e rrotull shtrihen lagjet e
tjera.

2.        Histori

Mendohet se Ndroqi si vendbanim ka ekzistuar që në periudhën romake. Por ai përmendet për të parën herë, si fshat i Andronikëve me
23 shtëpi në defterin turk të Sanxhakut të Shqipërisë, të hartuar në vitet 1431-1432.
Ekzistojnë dy hipoteza mbi emrin e fshatit Ndroq:
•        Nga fjala „Ndërrënjë”- ndën rrënjë apo ndën këmbë të malit mbasi fshati  është vendosur në rrëzë të kodrës së kalasë së Ndroqit.
•        Por në emrin e tij ka një kujtim edhe më të hershëm nga fjala greqishte “andros”, burrë; prej këndej dhe “Andronicus” si emër i
përveçëm, Andronikus si emri i perandorit.
Më pas të dy emrat patën  transformime fonetike deri në formimin e fjalës së sotme Ndroq.
Të paktën gjatë gjithë shekullit XX mbiemri “Ndroqi” i ka dhënë vendit individualitete që kanë merituar e meritojnë nderim.

3.        Atraksione

Kalaja e Ndroqit
Kalaja e Ndroqit është e pozicionuar në krahun e majtë të luginës së lumit Erzen. Ajo është ndërtuar mbi një kodër piramidale me lartësi
387 m me shpate të pjerrëta dhe tarraca të shumta. Pjesa e sipërme e kodrës, pikërisht aty ku është e vendosur dhe kalaja, ka formën e
një pllaje me gjatësi 300 m dhe gjerësi 150 m.
Gjurmët tregojnë se ky vendbanim u pajis me mure rrethuese gjatë dyndjeve barbare të shek. IV- VI. Nga gërmimet e bëra ka rezultuar
se kalaja ka një sistem të dyfishtë mbrojtje, i përbërë nga një mur rrethues i jashtëm dhe një i brendshëm.

Mendohet që kalaja ka pësuar një rrënim të fortë, por është  rindërtuar më vonë XIII-XIV duke shërbyer si seli e feudalëve shqiptarë,
kundër rivalëve vendas dhe pushtuesve të huaj.
Pas vdekjes së Skënderbeut pushtuesit osmanë i dhanë rëndësi kalasë së Ndroqit, pasi nëpërmjet saj vëzhgonin Durrësin që ndodhej
nën sundimin e Venedikut. Me rënien e Durrësit, në vitin 1501, Ndroqi e humbi rëndësinë e tij, por e rifitoi atë përgjatë anarkisë feudale
që përfshiu vendin tonë gjatë shekullit të XVIII, duke shërbyer përsëri si seli e feudalëve lokalë.
Për sa i përket funksionit, ajo fillimisht është ndërtuar si një strehë e sigurt për popullsinë vendase, por gjithashtu funksioni i saj është i
lidhur ngushtë me pozitën strategjike që zë ajo në luginën e lumit Erzen, që ishte një rrugë natyrale që lidhte bregdetin me territoret e
brendshme. Gjithashtu ajo ka shërbyer për mbrojtjen sa më të mirë të qytetit të Durrësit nga dyndjet barbare dhe nga luftërat e
shpeshta në atë kohë. Nga kalaja e Ndroqit kontrollohen me imtësi gjithë zonat rreth e qark.

Varri i Ashikut
“Varri i Ashikut” tregon historinë tragjike të 2 të rinjve të dashuruar nga Ndroqi, që lanë pas një legjendë. Ky varr gjendej në të djathtë
të rrugës automobilistike Tiranë-Durrës, jo shumë larg Ndroqit nën hijen e një


rrapi të lashtë. Mjerisht, vite më vonë, varri u shkatërrua dhe humbi, por në kujtesën popullore jeton  legjenda e tij.
Në këtë varr mendohet të jenë varrosur dy të rinj të dashuruar që preferuan më mirë të vdisnin se sa të braktisnin njëri tjetrin.

Ura e Beshirit
Ura, e ndodhur mbi lumen Erzen, u ndërtua nga familja e tregtarëve të mëdhenj Beshiri. Ura prej guri relativisht e madhe me pesë harqe
u ndërtua më 1848 në emrin e pesë djemve të Haxhi Selman Beshirit por në të vërtetë ajo u krye me shpenzimet e vëllait të katërt, Haxhi
Ali Beshirit. Kjo urë i shërbente këtij tregtari të pasur për transportin e mallrave nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas.

Pas pak kohe ura u rrënua nga lumi. Në vitin 1851 Ali Beshiri financoi rindërtimin e saj. Ura e cila u vu në shërbim të publikut forcoi
popullaritetin e familjes Beshiri. Por kundërshtarët e Ali Beshirit organizuan vrasjen e këtij të fundit më 13 shkurt 1852 pikërisht në
vendin ku ai po mbikëqyrte punimet për ndërtimin e saj. Beshirët e rindërtuan urën për të tretën herë në 1859 dhe kjo urë qëndroi në
këmbë deri në sa u shkatërrua gjatë Luftës II Botërore.

Ura e re prej betoni e cila u ndërtua në vitin 1945 vazhdon të quhet edhe sot nga popullsia e zonës “Ura e Beshirit”.

Rrapi i Ndroqit
Gjendet në qendrën e fshatit. Qysh në vitet ’20 të shekullit të kaluar, përreth tij organizohej dita e pazarit për gjithë krahinën e Ndroqit,
ndaj njihet edhe me emrin Rrapi i Pazarit.
Ky rrap, me moshë 400 vjeçare, është rreth 17 m i lartë. Ai është prekur disa herë nga rrufetë, që i kanë dëmtuar kurorën, duke djegur
e këputur degë të mëdha të tij.

Lapidari i dëshmorëve të Ndroqit
Ky lapidar iu kushtohet dëshmorëve të zonës së Ndroqit të rënë gjatë Luftës II Botërore. Ai është i derdhur në beton në dy pjesë ku tek
njëra shkruhet “Lavdi Dëshmorëve” dhe në kolonën tjetër janë shkruar emrat e 15 të rënëve në luftën për çlirim.

4.        Ekonomi dhe mjedis
Toka bujqësore është e një cilësie të mirë prodhuese dhe pjesa më e madhe e saj është në përdorim. Ekziston një traditë pozitive në
përdorimin e tokës dhe kjo edhe për pozicionin e përshtatshëm gjeografik dhe klimën favorizuese për mbjelljen e shumë kulturave
bujqësore përfshirë drithërat, perimet, vreshtat dhe ullinjtë.
Një faktor kyç në zhvillimin dhe rritjen e prodhimeve është  afërsia e prodhuesve me tregun më të madh të rajonit që është Tirana dhe
porti i Durrësit. Në zonë ka një tendencë në rritje të ndërmarrjeve të fokusuara në agro industri si dhe në krijimin e fermave bio.  
Në rrugën nacionale Tiranë-Ndroq gjenden një sërë restorantesh që ofrojnë kuzhinë tradicionale me produktet bio të zonës.

5.        Traditë
Historia e kultivimit të ullirit është shumë e vjetër në zonën e Ndroqit, i  dalluar për rritjen e tij. Kodrat përreth tij janë të mbjella me
ullinj, disa prej të cilëve shumë të vjetër (deri 3000 vjeçarë).

Njerëzit e kësaj zone rurale janë mësuar me kultivimin e ullinjve dhe një traditë e mirë janë punishtet e prodhimit të vajit të ullirit. Ky vaj i
prodhuar këtu është i një cilësie shumë të mirë. Në zonën e Ndroqit ndodhen 8 fabrika të prodhimit të vajit të ullirit.

Kodrat e fshatit Shesh janë mjaft të përmendura për vreshtarinë , ku kultivohen edhe dy lloje të njohura rrushi “Shesh i zi” dhe “Shesh i
bardhë”, prej nga kanë marrë emrin edhe dy verëra të njohura shqiptare.



Përpunimi i frutave dhe perimeve është një tjetër traditë e zonës, për tu përmendur është tharja e tyre dhe përgatitja e produkteve me
fruta të thara siç është buke fike (përgatitur me fiq të tharë), etj.

Bashkia e Tiranës është nismëtare e organizimit të “Bio-Fest Ndroq”. Ky aktivitet u konceptua si një panair produktesh bujqësore e
blegtorale të zonës me qëllimin e kthimit në traditë për promovimin dhe nxitjen e agro turizmit në këtë zonë shumë të pasur me
produkte bio duke e bërë Ndroqin mikpritës të dhjetëra qytetarëve nga Tirana dhe zonat përreth. Edhe vizitorët e huaj tërhiqen jo vetëm
nga bukuritë e natyrës por dhe nga produktet bujqësore dhe blegtorale të zonës.