Petrela

1-        Vështrim i përgjithshëm

Petrela ndodhet 12 km në juglindje të kryeqytetit, përgjatë rrugës nacionale Tiranë – Elbasan. Fshatrat e saj shtrihen në dy anët e
luginës piktoreske së Erzenit, në gjysmën e distancës të gjatësisë së tij. Territori i Petrelës kufizohet nga lindja me Dajtin, në jug me
Bërzhitën, në perëndim me Baldushkun dhe në veri me Farkën.
Në këtë territor gjenden njësi fiziko-gjeografike mjaft të spikatura si: Kreshta e Farkës, 6 km e gjatë dhe me lartësi 445m mbi nivelin e
detit; Kodrat Mullet-Fikas dhe Kalaja e Petrelës 550 m mbi nivelin e detit.
Zona e Petrelës karakterizohet nga një natyrë me klimë tipike mesdhetare që pasurohet nga historia e lashtë e saj. Kjo zonë edhe për
shkak të luginës së lumit Erzen dhe faktorëve të klimës mesdhetare ka një biodiversitet të pasur.
Petrela nga vetë trajta e formimit fizik të saj, me fusha, kodra dhe lugina, mundëson një kontrast të mrekullueshëm të natyrës. Përgjatë
lumit dhe kodrave që shtrihen pranë tij, janë ngritur mjaft restorante dhe resorte turistike. Në ditët e nxehta të vitit në rrjedhjen e lumit
frekuentohet plazhi dhe aktivitete të ndryshme lumore.

2-        Histori

Petrela përmendet që në shekullin XI, në luftimet ndërmjet normanëve dhe bizantëve, kur shkruhet në trajtën Petrula, nga Ana Komnena
(1083 – 1153). Duhet shënuar se identifikimi Petrula-Petrela u bë nga A. Boue, i cili përmend Petrelën edhe dy herë të tjera në veprën e
tij.

Emërtimi që Marin Barleti, historiani i shquar i shek. XV, i ka bërë Petrelës si “oppidum inexpngnabile” (qytet i papushtueshëm) tregon që
Petrela në atë kohë kishte marrë tiparet e një qyteti të vogël, të pajisur me mure të jashtëm rrethues.
Në shekullin XV, aty banonte motra e Gjergj Kastriotit, Mamica. Në vitin 1445 Skënderbeu vendosi të bëjë një martesë princërore duke
martuar motrën e tij Mamicën me sundimtarin e Petrelës, Muzakë Topinë. Sipas legjendës, në dasmë ishin të ftuar të gjithë prijësit e
kohës.

3.        Atraksione

Kalaja e Petrelës
Kalaja e Petrelës ndodhet në fshatin Petrelë, 15 km në jug-lindje të Tiranës, mbi një kodër shkëmbore 400 m mbi nivelin e detit. Që nga
lashtësia, kjo kala kontrollonte kryqëzimin e rrugëve me rëndësi ekonomike dhe ushtarake të cilat kalonin pranë saj, si rruga Egnatia
(dega Durrës-Tiranë-Elbasan), e cila për kohën kishte rëndësi të veçantë.

Kjo kala ka formë trekëndore dhe perimetri i saj nuk i kalon 100 metra. Në dy qoshe ka kulla rrethore, ndërsa në të tretën , për arsye të
shkëmbit të thepisur, nuk është ndërtuar kullë.

Kalaja e Petrelës ka kaluar nëpërmjet disa periudhash ndërtimi e rrënimi. Mendohet se është ndërtuar në  periudhën e vonë antike (shek.
III-IV pas Krishtit) dhe është rindërtuar sërish gjatë sundimit të Perandorit Bizantin Justiniani I (527 – 565). Ajo mori një rëndësi të
veçantë në shek. XI, në luftimet ndërmjet normanëve dhe bizantinëve.
Në fillim të shek. XIV i përkiste familjes feudale të Topiajve që në atë kohë ishin zotërues të territorit midis lumit Mat e Shkumbin. Në
shekullin e XV, Petrela ishte Kështjella e parë pas Krujës, e cila u rrethua dhe u çlirua nga Skënderbeu.
Ajo kontrollonte rrugën më të mundshme të sulmeve osmane, që ishte rruga Egnatia, një nga rrugëkalimet më të rëndësishme të kohës.

Vendbanimi antik i Persqopit
Qyteti antik është i lokalizuar në faqen e malit të Vilës, që është maja e fundit më e lartë e zinxhirit malor të Krrabës (590 m lartësi).
Pozicioni strategjik i tij bënte të mundur kontrollimin e një territori të gjerë dhe rrugëve që kalonin në këto vise.
Duke iu referuar periodizimit të fortifikimeve të Ilirisë Jugore dhe Epirit, nga pikëpamja arkitektonike, Persqopi i përket periudhës që
përfshin gjysmën e dytë të shekullit IV p.Kr.
Ky është i vetmi fragment i murit fortifikues, më i larti i konservuar në të gjithë territorin e Shqipërisë, më një shtrirje rreth 60m gjatësi
dhe lartësi prej 7 m me 10 rreshta gurësh. Hyrja është tërthore, me një gjerësi rreth 2.6 m. Muret janë ndërtuar me dy parete me blloqe
guri kuadratik.
Përveç mureve antike, në Persqop ruhen dhe gjurmë të shumta të banesave, si dhe gjurmët e një varri dhe të një ujësjellësi që
furnizohej me ujë nga mali Vilë.  

Varri monumental
Varri monumental i përket të njëjtës periudhë të krijimit të qytetit të Persqopit (shek. IV-III p. Kr.) Ka një sipërfaqe rreth 20 m² dhe
përbëhej nga dy ambiente. Ambienti i parë është një paradhomë e vogël dhe  ambienti i dytë është dhoma e varrimit, e cila ka formë
pothuajse katrore, ka dhe dy mjedise në formën e urnës, që kanë shërbyer për të mbajtur hirin e të vdekurve. Mbulimi i varrit ka qenë
me qemer, me gurë të mëdhenj, ndërtuar në të thatë.
Monumentaliteti dhe dimensioni i një varri kaq të veçantë na çon të mendojmë se i përkiste një personi të një rangu të lartë, pjesë e një
elite ose mendohet se mund t'i përkiste një mbreti Ilir.

Tyrbja e nuses
Tyrbja e Nuses gjendet në fshatin Mullet, pranë Kishës së Maxharës. Duke u nisur nga funksioni i ngjashëm me varret e periudhës
otomane, mendohet që ajo i përket shek. XVII.
Kompozimi është i thjeshtë, mbi një xokolaturë pak të ngritur nga terreni ngrihen katër kolona, të cilat së bashku me harqet dhe një
kupolë të vogël mbi to përbejnë zgjidhjen konstruktive.
Ky monument mbart një legjendë për nusen e re që mbeti e vrarë ditën e martesës. Dy palë kundërshtare që u kryqëzuan në hyrje të
fshatit, ndoshta për hasmëri, po shkëmbenin të shtëna me njëra – tjetrën, ndërsa në rrugë po kalonin dasmorë, të cilët kishin marrë një
nuse. Një plumb qorr e godet dhe e lë nusen e re të vdekur.

Lapidari i Petrelës
Lapidari u kushtohet dëshmorëve të rënë në Luftën II Botërore. Vepra është realizuar në beton të derdhur duke ngritur dy kolona
paralele mbi platformën drejtkëndore të sheshtë. Midis dy kolonave është vendosur një pllakë e kuqe me yll në majë dhe në mes një
pllakë mermeri ku janë shkruar emrat e dëshmorëve.

4.        Ekonomi dhe mjedis

Aktiviteti kryesor i zonës është bujqësia dhe blegtoria. Kohët e fundit ka marrë zhvillim kultivimi i vreshtave. Gjithashtu, banorët
sigurojnë perimtari nëpërmjet serave. Toka bujqësore ndodhet në sipërfaqe fushore dhe kodrinore.
Pozita gjeografike, relievi kodrinor dhe fushat përgjatë luginës mundësojnë kushte mjaft të favorshme për zhvillimin e pemëtarisë.
Banorët e fshatrave kanë mbjellë plantacione me ullinj dhe rrush, duke prodhuar në mënyrë të vazhdueshme vaj ulliri, verë dhe pijen
tradicionale shqiptare që është rakia.
Kjo zonë për shkak të luginës së lumit Erzen dhe faktorëve të klimës mesdhetare ka një biodiversitet tepër të pasur.
Lumi Erzen ofron mundësinë e peshkimit. Në ujërat e tij gjejmë peshkun e shijshëm, karakteristik i ujërave të ëmbla, peshkun Mustak.
Flora e zonës karakterizohet nga një shumëllojshmëri bimore, të tilla si: manaferra, dëllinja, trëndafili i egër, rigoni, kamomili, mëllaga e
egër, çaji i egër, lulja e basanit, fier guri, etj. Në mesin e kësaj flore të pasur gjenden dhe bimë me veti kuruese dhe mjekësore. Të
pasurit e një larmishmërie kaq të madhe të bimëve kuruese, ka mundësuar në zonë zhvillimin e aktiviteteve të mbledhjes, përpunimit dhe
shitjes së tyre.

5.        Traditë

Petrela përmendet që në kohët e lashta për punimin e pëlhurave në vegje, endje,  punim të fletëve të mullinjve të blojës, punishtet e
prodhimit të vajit, punishtet e punimit të drurit, kovaçhanat për shkrirje bronzi e përgatitje armësh, vegla pune dhe enësh, etj.

Tradita e punimit të pëlhurës si dhe punimeve me qëndisje është trashëguar deri në ditët e sotme.
Është në traditë të jetesës së zonës që çdo familje të ketë ndonjë bagëti të imët apo lopë, duke i mundësuar familjes sigurimin e
qumështit dhe nënprodukteve të tij si: qumështi, djathi, gjiza, kosi, gjalpi etj.

Vitet e fundit në fshatra ka filluar dhe ngritja e biznesit të baxhove, të cilat lëndën e parë e sigurojnë nga banorët e zonës që kanë
bagëti. Traditë është prodhimi i djathit të dhisë mjaft i pëlqyer në treg. Për tu përmendur janë edhe pijet tradicionale me fruta e bimë të
egra si dhe lloje të ndryshme lakrorësh me bimë të egra.