Peza


1.        Vështrim i përgjithshëm

Krahina e Pezës ndodhet rreth 12 km larg kryeqytetit. E gjithë zona ka një natyrë të mrekullueshme dhe banorët e saj shquhen për
traditat mikpritëse e bujare. Panoramës me toka të punuara e shtëpi të sistemuara, me gjelbërim të admirueshëm e rrugë të asfaltuara i  
shtohet peizazhi i bukur me kodrat me pisha. Banorët merren më shumë me bujqësi dhe blegtori.

Në sheshin e madh të Pezës që ka përmasat e një parku gjigand ndodhet edhe shtëpia e vjetër e Myslym Pezës, patriotit shqiptar që
ishte një ndër organizatorët e Konferencës së Pezës.
Ky fshat është një mrekulli e natyrës i cili tashmë edhe me rrugën e re është shndërruar në një nga destinacionet më të preferuara për
shëtitje në natyrë.
Zona e Pezës me të 10 fshatrat e saj dallohet për kultivimin e ullinjve, vreshtarisë dhe serave me perime.

2.        Histori
Vendbanim me histori të lashtë
Në mijëvjeçarin e parë treva e Tiranës bënte pjesë në hapësirën tokësore të Ilirëve, më e hershmja e këtyre kalave është ajo e Dorëzit,
mbeturinë e një qyteze ilire, emir antik i së cilës ende nuk është identifikuar, që i takon periudhës para urbane ilire, pra shek. VII-V p.e.s.

Kjo qytezë antike mendohet të ishte një qendër e rëndësishme e fisit të Parthinëve. Jeta aty vazhdoi deri në mesin e shek.VI të e.s. Ajo
lidhej me luginën e Pezës nëpërmjet dy rrugëve që kalonin nëpërmjet përrenjve të Fidhit (Fjollës ) dhe Gjyzarit (Çezarit ). Mendohet  që
këtë emër ta ketë marrë nga lëvizja që ka bërë Jul Çezari nga Dorëzi nëpërmjet këtij përroi kur u ndesh me Pompeun në Golem. Këto dy
rrugë, bënin të mundur lidhjen e saj me një degëzim të rëndësishëm të rrugës Egnatia, që kalonte nëpërmjet luginës së Pezës.
Popullsia e kësaj zone vazhdimisht ka ngritur krye kundër sundimit të perandorisë bizantine këtë e tregon edhe pjesëmarrja e saj në
kryengritjen e vitit 1336 dhe në atë të vitit 1432 të udhëhequr nga Andrea Topia.
Popullsia e kësaj treve mori pjesë në luftërat kundër pushtuesit osman nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Në vitin 1621 popullsia e zonës së Pezës u përfshi në kryengritjen anti osmane të Shqipërisë së Mesme. Një rezistencë më e fuqishme në
Peze filloi në kohen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878.

Peza martire në Luftën II Botërore
Peza ka një histori të gjatë dhe të pasur që e bën të njohur në mbarë Shqipërinë si zonë martire e Luftës II Botërore.
Më 16 shator të vitit 1942, këtu u mbajt konferenca e Pezës e cila shënoi bashkimin e të gjithë forcave politike në vend kundër
pushtuesve fashistë. Fshati është djegur disa herë nga pushtuesit gjatë Luftës II Botërore ndërsa heronjtë, pas çlirimit janë nderuar çdo
vit.
E gjithë zona përballoi mjaft operacione ndëshkimore të ndërmarra nga pushtuesit. Ajo njihet si vendlindja e Myslym Pezës (Babë
Myslymi) i cili krijoi një nga çetat e para partizane antifashiste në Evropë. Më 5 qershor 1940 në Pezë u krijua çeta e parë partizane jo
vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan e Evropë. Çeta, e cila kishte 50 veta drejtohej nga komandant Myslym Peza. Nga një çetë kaloi në
Grupin Partizan të Pezës me 5 çeta që vepronin në pesë treva të ndryshme, më pas në batalionin partizan “Peza” i cili shumë shpejt do të
bëhej Brigada XXII-S.
Për nga kontributi që ka Çeta dhe krahina e Pezës, Unioni Botëror i Krahinave Martire dhe i Paqes të Luftës së Dytë Botërore e ka
zgjedhur atë anëtare me të drejta të plota dhe zona e Pezës është shpallur “Zonë Martire”.

3.        Atraksione

Kalaja e Dorëzit
Kalaja e Dorëzit është më e vjetra në pellgun e Tiranës. Ajo ndodhet rreth 20 km në jug perëndim të Tiranës dhe rreth 5 km në lindje të
Pezës.
Gjurmët e para të banimit i takojnë periudhës së bronzit (shek. XIV-XIII p. k.), ndërsa ekspedita e parë arkeologjike drejt saj është kryer
në vitin 1951. Rrënojat e saj mbulojnë një nga kuotat më të larta në vargun e kodrave të shkëputura nga malet e Krrabës në lartësinë
479 m nga niveli i detit.
Për ndërtimin kalasë është zgjedhur një pllajë e pjerrët ku afro gjysma nuk është e rrethuar me mur por është e mbrojtur nga shkëmbi
natyral. Muri rrethues i saj, shtrihet në të gjithë pjesën jugore të një kodre shkëmbore dhe është afërsisht 300 m i gjatë, nga lindja në
perëndim.
Kalaja e Dorëzit paraqet një interes të veçantë për nga ana e teknikës së ndërtimit ku vihen re tre faza: faza e parë e ndërtuar me gurë
të papunuar, faza e dytë me blloqe të gdhendur të vendosur në të thatë (periudha helenistike) dhe e treta që ndjek të njëjtën trase me
të dytën ndërtuar me gurë të thyer të lidhur me llaç (antikiteti i vone, shek. IV-VI).
Ajo përfaqëson qendrën e vetme urbane të pellgut të Tiranës  me vazhdimësi jete kaq të gjatë. Së fundmi, Kalaja e Dorëzit është
shpallur “Zonë e mbrojtur”.

Monumente kushtuar Luftës Na ÇL
Peza dallohet si një vend ku është ngritur kompleksi më i madh skulptural e memorial i Artit të Realizmit Socialist, me pesë monumente
kushtuar qëndresës dhe Luftës Antifashiste.

Për të kujtuar dhe nderuar këtë luftë është ngritur një lapidar ku elementi kryesor vertikal është një kolonë me yll dhe një pushkë
gjigante. Më vonë u realizua dhe monumenti në bronz i Myslym Pezës, udhëheqës i forcave partizane të zonës. Një tjetër memorial për
dëshmorët e Brigadës XXII Sulmuese me autor Muntaz Dhramin dhe Kristo Krisikon u realizua në vitin 1977. Më pas në bronz u derdh
memoriali skulpturor, që kulmon kompleksin e varrezave të dëshmorëve. Të katër këto vepra janë ngritur në një territor prej 5000 metër
katrorë. Vepra e pestë është një skulpturë-sinjal ngritur në rrugën nacionale 6 km larg fshatit që shënon drejtimin për në Pezë.

Këto vepra u ngritën për njëzet vjet nga viti 1965 deri më 1985.

Përmendorja “Peza Krahinë Martire”
Përmendorja e ndodhur në fshatin Pezë e Madhe i kushtohet shpalljes së krahinës së Pezës Krahinë Martire e Luftës së Dytë Botërore
nga Unioni Botëror i Vendeve Martire.
Ky monument i realizuar me beton dhe granit të kuq është një pllakë betoni vertikal ku është vendosur një pllakat në formën e flakës në
të cilën shkruhet Krahinë Martire e Luftës II Botërore, shpallur në maj 1997.

Varrezat e Dëshmorëve të Pezës

Varrezat e Dëshmorëve të Pezës ndodhen në fshatin Pezë e Madhe rreth 30 km në jug-perëndim të kryeqytetit.
Në varrezat e Dëshmorëve të Pezës prehen 145 dëshmorë të rënë gjatë Luftës Nacional Çlirimtare të fshatrave përreth. Në këtë Park
Memorial gjendeshin tre varre të dëshmorëve italianë rënë në luftën kundër nazistëve gjermanë ku njëri prej tyre është zhvendosur dhe
rivarrosur nga të afërmit në vendlindjen e tij në Itali.


Shtëpia Muze e Konferencës së Pezës
Në këtë shtëpi, të ndodhur në Pezë të madhe, më 16 shtator të vitit 1942 u mbajt Konferenca e Parë e Frontit Nacional Çlirimtar. Në
Konferencë u themelua organizata e Frontit Nacionalçlirimtar, në të cilën do të bashkoheshin e do të organizoheshin të gjithë shqiptarët
patriotë, pa dallim. Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe miratoi platformën politike dhe organizative të Frontit
e të Luftës Nacional Çlirimtare.

Parku i Pezës
Kjo zonë, një nga më të bukurat e kurorës së gjelbër të Tiranës, ofron përpos hapësirave të nevojshme për turizëm edhe material të
bollshëm për njohjen e karakteristikave biologjike dhe shkrirjen e biodiversitetit ekologjik.
Në këtë park në Pezë të Madhe ndodhet edhe liqeni i Fjollës, i cili është 4 km larg nga rruga nacionale dhe nga diga deri në fund të liqenit
distanca është rreth 1 km. Liqeni ka marrë emrin e luginës poshtë kalasë së Dorëzit që quhet lugina e Fjollës.

Zona Fjollë – Dorëz, me një sipërfaqe 207.6 ha, përbëhet prej disa ekosistemeve të larmishme si pylli, toka, liqeni dhe vlerësohet e pasur
për habitate  natyrore.
Ky park nxjerr në pah jo vetëm vlerat ekologjike të këtij territori, por edhe shembullin e mirë të ruajtjes së ekosistemeve dhe
bashkëjetesës njeri-natyrë. Liqeni me një sipërfaqe prej 14 ha ka si karakteristikë unikale ujëra të thella, të kaltra, të pastra duke qenë
njëkohësisht habitati i disa llojeve autoktonë peshqish apo gjallesash të tjera ujore.
Parku i Pezës është një zone turistike ku vizitori të jetë pjesëmarrës aktiv në aktivitete të ndryshme sportive-kulturore si pedalimi,
kanotazhi, mbjellja e pemëve, kampingu, ekspozita pikture, etj që kanë në fokus ndërgjegjësimin qytetar për natyrën dhe mjedisin.

4.        Traditë

Festa e përvitshme “Peza n’fest”
Tashmë është kthyer në traditë që çdo 16 shtator në Pezë të kremtohet dita historike e Konferencës së Pezës si një aktivitet i
përvitshëm. Bashkia e Tiranës së bashku me banorët e zonës organizojnë në këtë ditë një sërë aktivitetesh në Pezë duke e zgjatur këtë
festë deri në 3 dit me të rinj e muzikë DJ.
Tradita e festës së Pezës rikthehet çdo vit ku nuk mungojnë: panairi i kulinarisë me gatime tradicionale, lojërat për fëmijë, shfaqjet e
cirkut, këngët partizane përreth zjarreve, ekspozitat fotografike dhe shumë muzikë e koncerte.