Vaqarr


1.        Vështrim i përgjithshëm

Vaqarri shtrihet në jug perëndim të Tiranës rreth 6 km larg saj. Territori i Vaqarrit kufizohet me Kasharin  në veri, me Ndroqin në
perëndim, me Pezën dhe Baldushkun në jug dhe me Farkën në lindje.
Kryesisht banorët e zonës merren me bujqësi dhe blegtori dhe një pakicë me prodhime artizanale si gdhendje në dru, qëndistari, etj.

Fshatrat janë fushore, ku banorët në pronat e tyre kultivojnë kultura të ndryshme bujqësore si foragjere, drithëra, perime të llojeve të
ndryshme. Një pjesë e mirë e banorëve merren dhe me blegtori me mbarështimin e gjedheve  dhe me shitjen e qumështit dhe të
nënprodukteve të tij.
Pozita gjeografike e fshatrave është fushore dhe kodrinore ku lartësia mesatare është rreth 150 m mbi nivelin e detit.
2.        Histori
Kalatë dhe gjetjet e tjera arkeologjike tregojnë se zona ka qenë e banuar që në antikitet.
Një mbishkrim i zbuluar në fshatin Prush (në afërsi të ish Kombinatit të  Tekstileve) në vitet 70’ të shekullit të kaluar, gjatë punimeve për
rrafshimin e vendit të quajtur “kodra e kishës” , ku dolën në pah gurë të punuar dhe disa të zbukuruar si dhe një pllakë me mbishkrim
përkujtimor, dëshmojnë për Vaqarrin si një vendbanim i hershëm.
Pllaka prej mermeri i përkiste një varri të vjetër. Mbishkrimi i vendosur në njërën anë të pllakës përbëhet prej pesë rreshtash. Në krye të
rreshtit të parë është gdhendur një kryq i vogël.
Në fshatin Lalm është zbuluar një pllakë varri e vjetër prej guri gëlqeror. Mbishkrimi mortor i gdhendur brenda një kornize i përket një
skllaveje të liruar për merita të saj si mëndeshë.
Në fshatin Allgjatë është zbuluar pjesa e sipërme e një stele prej guri gëlqeror. Mbishkrimi është epitafi i varrit të një skllaveje të shek. I
ose II e cila ka vdekur në moshë të re. Emri i skllaves dhe i pronares së saj janë të zakonshme për qytetin e Dyrrahut. Ruhet në Muzeun
Arkeologjik.

3.        Atraksione
Kalaja e Lalmit
Kalaja e Lalmit ndodhet në një kodër piramidale rreth 100 m të lartë, 2 km në perëndim të lagjes së ish Kombinatit të Tekstileve “Stalin”.
Mendohet që kjo kala është  ndërtuar rreth shekullit IV pas Krishtit. Një epitaf varri i gjetur që i kushtohej një skllaveje të liruar dëshmon
se kodra ka qenë banuar, që në shekujt e parë pas Krishtit. Nëpërmjet saj kontrollohej vazhdimi i rrugës që vinte nga Ndroqi, (buzë
rrjedhës së Erzenit) për në fushën e Tiranës.
Sipërfaqja ku është ndërtuar kalaja ka formën e një elipsi me gjatësi 100 m dhe me gjerësi 50 m. Ky territor rrethohej nga një mur, prej
të cilit kanë mbetur vetëm disa trakte të shkëputura në anën lindore si dhe një gjurmë muri në anën perëndimore të kodrës. Në brendësi
të saj janë gjetur fragmente të ndryshme tjegullash dhe qeramike që i përkasin antikitetit të vonë.
Kalaja e cila më vonë ka qenë e shembur dhe është rindërtuar në mesjetë, ka shërbyer si seli e zotit feudal të zonës, që mbanin mbiemrin
Lalmi. Zotërit e Lalmit kanë shërbyer nën urdhrat e Skënderbeut, si kapedanë në luftë kundër pushtuesve osmanë.
Detyra e saj ka qenë të mbronte rrugët që lidhte bregdeti me vise t e brendshme.
Lapidari i Artilerisë në Arbanë
Ky lapidar është një skulpturë murale e realizuar në bronz të derdhur e vendosur mbi një pllakë betoni. Skulptura paraqet një grup
partizanësh që qëlluan me top dhe shpërndanë qeverinë tradhtare të mbledhur në Tiranë me qëllim legjitimimin e pushtimit të Shqipërisë
nga nazistët gjermanë.
Kjo vepër e realizuar në vitin 1968 është krijuar nga grupi i autorëve: Kristaq Rama, Shaban Hadëri,  Muntaz Dhrami dhe Robert Kote.
Lapidari i formimit të Batalionit II Partizan- Grupi i Pezës
Ky lapidar i ndodhur në fshatin Bulticë përkujton formimin e Batalionit II Partizan të Grupit të Pezës më 9 shtator 1943.
Vepra është realizuar në beton të derdhur në vitin 1986  ku paraqitet një flamur i madh me një yll në të gdhendur në mes. Autor i veprës
është skulptori Muntaz Dhrami.

Liqeni i Prushit

Ky është një liqen artificial, i cili ndodhet në mes të fshatit Prush dhe Lalm rrethuar nga pishat e larta dhe një gjelbërim i dendur. Liqeni i
Prushit ka një kapacitet prej 300 000 m³ ujë.

Bashkia e Tiranës ka një projekt për ta shndërruar këtë liqen dhe zonën përreth tij në një park me ambient relaksues e multifunksional
për vizitorët vendas por edhe për  turistët e huaj.

Sidomos në periudhën e verës frekuentohet shumë për ambientin dhe qetësinë që të fal ky territor.

Liqeni Fortuzaj

Liqeni i krijuar në vitet 1970-80 për vaditje  ka një kapacitet ujë mbledhës rreth 45 000 m3. Peizazhi në këtë zone është i rrethuar me
gjelbërim dhe pemë.

4.        Ekonomi dhe mjedis
Pyjet zënë një sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Vaqarit. Në krahun e djathtë të rrugës Tiranë – Durrës ndodhet një nga
sipërfaqet me pyllëzim më të dendur dhe më të veçantë të llojit pishë Kjo sipërfaqe e pyllëzuar shtrihet kryesisht në fshatrat: Lalm,
Allgjatë, Prushaj dhe Gropë.

Banorët vendorë trashëgojnë nga të parët e tyre praktika dhe njohuri të përcjella brez pas brezi mbi përdorimin e tokës bujqësore dhe
asaj pyjore, ku organizojnë dhe mbështesin jetën e familjeve të tyre.

5.        Kulinari
Një shumëllojshmëri specialitetesh autentike shqiptare mund të provohen në tryezat e kësaj zone të cilat njihen për shijen e tyre. Një
ndër specialitetet më karakteristike të kësaj zone është “fërgesa” ose siç quhet ndryshe “tava e dheut”, e cila përmban gjizë, speca, mish
ose mëlçi, duke i sjellë një shije mjaft të këndshme atyre që e provojnë. Ajo mund të përgatitet edhe me produkte të tjera siç janë vezët
dhe domatet.
Një specialitet tjetër është edhe mishi me narden (ose me lëng). Po kështu, edhe llojet e byrekëve me lakra të egra apo spinaq.
Në rrugën nacionale Tiranë-Vaqar gjenden një sërë restorantesh që ofrojnë kuzhinë tradicionale me produktet bio të zonës.