Zall – Bastari


1.        Vështrim i përgjithshëm
Zall-Bastari ndodhet rreth 18 km nga kryeqyteti në një zonë të thyer malore dhe përbëhet nga 12 fshatra.
Territori kodrinor-malor të ofron pamje piktoreske. Në faqet e kodrave deri lart në male, që vijëzohen me rrëpira të shumta, dallohen
fshatrat dhe lagjet e tyre.
Zona ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 132 km2. Në sipërfaqen e përgjithshme 785 ha janë tokë bujqësore dhe 4500 ha janë pyje e
kullota.
Kjo zonë ka qenë e banuar që në shek. VI dhe veprimtaria ekonomike e banorëve bazohet në blegtorinë, bujqësinë, pemëtarinë e
tregtinë.
2.        Atraksione
“Shpella e Mirë” në fshatin Besh
Në malin e Beshit, në fshatin Besh Livadh, ndodhet “Shpella e Mirë”, 12 km nga qyteti i Tiranës. Kjo shpellë është e pozicionuar 800m mbi
nivelin e detit dhe ka përmasa: Gjatësi 120m, gjerësi në hyrje 20m.
Ajo lidhet me disa legjenda si vend që lehtëson dhimbjet. Në hyrje të saj ndodhen enët me të cilat pihet “uji i bekuar” që rrjedh nga
tavani i shpellës. Stalaktitet e para në hyrje të shpellës kanë formën e një kafshe, i quajtur “roja i shpellës”.
Shpella e Mirë ka forme të zgjatur të harkuar dhe disa kthesa në formë xhepash që kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ajo është e pasur me
stalaktite e stalagmite ndërsa fundi i saj është i mbyllur me beton nga ushtria në vitet  ’80.
Më datë 5 dhe 6 maj në këtë shpellë festohet Dita e Shëngjergjit, festë pagane, ku vijnë vizitorë nga fshatrat përreth dhe nga qytetet e
tjera.  Gjatë kësaj feste shijohen gatime tradicionale me barishte të egra siç është byreku me hithra, lëpjetë, spinaq, lule kuqe, kopër,
pazi, labot, etj dhe memëlik me miell misri me barishte të egra.
Sipas gojëdhënave kjo shpellë është shumë më e gjatë dhe vazhdon në thellësi të malit të Beshit deri në malin e fshatit Bulçesh. Banorët
e zonës kalojnë aty natën e datës 5 maj deri sa gdhin data 6 maj. Ajo vizitohet nga shumë njerëz të cilët shkojnë atje për t’u lutur, duke
e kthyer në vend pelegrinazhi.
Rruga për të shkuar në Shpellën e Mirë është nga Zall-Dajti në fshatin Besh Livadh  e cila rreth 3km bëhet me makinë të tipit fouristrade
dhe pjesa tjetër në këmbë pasi terreni është i thyer dhe i vështirë.
Liqeni i Beshit
Ky liqen është një liqen artificial i ndërtuar rreth viteve  1974 - ’75 për vaditje. Liqeni është i rrethuar nga një peizazh i bukur natyror  
rrethuar me pyll të dendur.
Sipërfaqja e përgjithshme e tij është 30 938 m2, gjatësia 350m dhe gjerësia maksimale 125m.
Rruga për të shkuar te Liqeni i Beshit  është nga Zall-Dajti drejt fshatit Besh rreth 3 km e cila bëhet në këmbë ose me makine të tipit
fouristrade.
Shkrepi i Gjepalit
Në lagjen Gjepal të fshatit Mner i Sipërm  ndodhet Shkrepi i Gjepalit. Ky është një shkëmb i ngritur si kiçi i anijes mbi parcelat e fshatit,
ku sipas legjendës ka qëndruar për tu çlodhur edhe Skënderbeu. Pamja poshtë që nga ai vend është shumë piktoreske, çlodhëse e
frymëzuese. Mbi atë shkëmb, edhe sot pleqtë e fshatit rrinë shpesh dhe soditin bukurinë madhështore.
Gurra e Salejt
Gurra e Salejt ndodhet në fshatin Mner i Sipërm dhe është një burim ujor, ku nga një guvë e dukshme midis gurëve të malit, del ujë i
ftohtë dhe i kulluar. Ky burim ujor natyror nuk shteron në asnjë stinë të vitit. Kjo gurrë me ujë të ftohtë që rrjedh nga mali mendohet të
ketë qenë një faktor vendimtar në ngulimin e banorëve në këtë vend kaq malor.
Peisazh në formë patkoi
Në fshatin Vilëz që është edhe fshati më malor i zonës (arrin lartësinë 1500m), në pjesën e quajtur Malvilëz shtëpitë e tij janë vendosur
dhe shtrihen sipas terrenit në formën e një patkoi gjigand.
Shtëpitë e Malvilëzës  shtrihen në gjithë gjatësinë e rrugës, disa më lart e disa më poshtë, ato lidhen nga rrugë të hapura nga vetë
banorët, deri në portat e tyre. Forma e shtrirjes së tyre i ngjan një patkoi gjigand.  Kodrat anash me malin e lartë në mes, me livadhet e
parcelat e tokave formojnë një amfiteatër të gjelbër e jashtëzakonisht të madh. Poshtë, atje ku hapet “patkoi” shihet  pasqyra ujore
vezulluese e ujëmbledhësit të Bovillës me një pamje piktoreske, mrekulli e natyrës, sidomos kur e shikon nga lart- poshtë.
Kullat në fshatin Selitë e Malit
Fshati Selitë e Malit ndodhet në kufirin midis Dajtit dhe Zall-Bastarit. Ky fshat njihet si një vendbanim i vjetër. Analet historike kishtare të
zonës së Bendës (ku përfshihet edhe fshati Selitë) e përmendin atë që në vitin 1363. Pesë vite më vonë, në këto anale përmendet se
fshati Selitë ka pasur kishën e vet kushtuar Shën Kollit, me 16 katolikë. Vendi ku ka qenë kisha dihet me afërsi nga banorët por nuk ka
gjurmë rrënojash.
Emri i fshatit Selitë rrjedh nga fjala “Seli” që do të thotë vendqëndrim ose nga sllavishtja “Sel” që do të thotë fshat. Mali i Selitës ka
burimet me ujin më cilësor, i cili ka furnizuar Tiranën deri në vitin 1970 dhe një pjesë të saj edhe sot.
Në këtë fshat të tërheqin vëmendjen kullat e gurta, (me moshë 60 – 100 vjeçare), disa prej të cilave me porta me harqe prej guri të
gdhendur bukur.
Vendbanim që në kohën e Skënderbeut
Fshati Shëngjin i vogël i cili përfshin edhe lagjen Moisit shtrihet në faqen lindore të malit të Dajtit. Dikur Moisiti ka qenë fshat më vete por
tani konsiderohet sipas ndarjes së re administrative lagje e Shëngjinit të vogël.
Emri Moisit është shumë i vjetër. Varianti më i besueshëm është se ajo hapësirë që në kohën e Skënderbeut ka qenë e banuar dhe ishte
pronë e Moisi Golemit. Skënderbeu iu dhuroi Moisi Golemit për trimërinë dhe zotësinë e treguar si komandant në luftë kundër
osmanllinjve.
Në Moisit nuk ka pasur asnjëherë xhami, kurse kisha e vjetër ndodhej poshtë zallit të lumit, por gjurmët e saj nuk duken. Deri në vitin
1650 ajo ka qenë qendër kishtare (Sofragjan) me rëndësi për të gjithë zonën e 45 fshatrave përreth.

Maja e Hithit
Në malin e Mnerit ngrihet maja e Hithit. Kreshta e saj është vijëdrejtë dhe përreth duket një livadh i madh. Bukuria mahnitëse e livadhit të
madh të majës së Hithrit duket më atraktive gjatë pranverës. Karakteristikë në këtë livadh është lulja e Batrës. Banorët e zonave përreth
shkojnë për piknik për të shijuar peizazhin e veçantë që ofron zona.