Zall – Herr

1.        Vështrim i përgjithshëm
Territori i Zall- Herrit ndodhet rreth 15 km nga qendra e Tiranës dhe 9 km nga Kamza, pozicionuar përreth luginës së lumit Tërkuzë i cili
rrjedh në pjesën veriore të Tiranës dhe derdhet në lumenjtë Tirana dhe Ishëm. Lumi Tërkuze me gjatësi 30 km, përshkon zonën e Zall-
Herrit nga lindja në perëndim.
Territori është kodrinor-malor dhe lartësia është nga 55 metra deri në 400 metra mbi nivelin e detit. Maja më e lartë është mali i Priskës
së Vogël (1217m).
Territori i Zall-Herrit përfshin 10 fshatra të cilët kanë një popullsi rreth 11300 banorë. Brenda territorit ndodhen disa njësi ushtarake,
madje nga ato më të rëndësishmet, Forcat Komando dhe Trupat e Reagimit të Shpejtë.
Veshjet Popullore të zonës të Zall Herrit shquhen për stilin e tyre interesant dhe të veçantë.
2.        Histori
Në territorin e Zall-Herrit gjenden gjurmë të banimit që në lashtësi. Në fshatin Priskë e Vogël ekziston një rrënojë kishe me toponimin
“Qisha”, që si një dialektore vjen nga thellësitë e shekujve. Rrënoja e mbetur është vetëm 7 m2 dhe rreth 5m lartësi ndërkohë që
sipërfaqja rrethuese është 4000 m2 në një “pllajë” me gurë të mëdhenj të gdhendur. Sipas arkeologëve objekti i kultit daton në shek. XII
(e.s).
Edhe në këtë territor koha ka lënë pa diskutim gjurmë të sundimit nga perandoria osmane. Mendohet se qytetërimi katolik ka vijuar deri
në fund të shekullit XVIII (Mbishkrimet me gjuhën e perandorisë osmane datojnë rreth vitit 1826).
Partia “Lëvizja e Legalitetit” e krijuar në vitin 1943 zhvilloi një pjesë të veprimtarisë së saj në fshatin Zall-Herr. Mbështetësi kryesor i kësaj
partie ishte Kapiten Xhemal Herri, me origjinë nga ky fshat dhe pjesëtar i ushtrisë së Mbretit Zog I.  Në shtëpinë e tij në Zall-Herr më 31
korrik 1943 u mblodhën delegatët e dy organizatave, Partisë Komunistë Shqiptare dhe Ballit Kombëtar.
Zona e Zall Herrit identifikohej para viteve 90′ me një prej regjimenteve ushtarake më te rëndësishme në regjimin komunist, atë të
tankeve 5009.
3.        Atraksione
Liqeni i Bovillës

Liqeni i Bovillës gjendet rreth 15 km në verilindje të qytetit të Tiranës. Ai u formua  rreth 15 vjet më parë në pjesën e sipërme të lumit të
Tërkuzës, të vendosur midis dy vargmaleve, Krujë - Dajt dhe Skënderbe - Mali me Gropa, hapësirë e shtrirë në zonat e Krujës dhe
Tiranës.
Liqeni kufizohet në perëndim me malin e Gamtit (1.267 m) dhe Brarit (1.214 m) si dhe nga mali i Dajtit (1.613) në juglindje. Nga ana
lindore kufizohet me malet e Xibrit (1.531m) dhe të Kotit (1.391m) të vendosur në veriperëndim midis malit të Skënderbeut dhe në
juglindje të malit me Gropa.
Ujëmbledhësi është formuar nga prerja e lumit Tërkuza me një digë 81 m të lartë, në grykën e Zall Herrit. Prej vitit 1998, ujëmbledhësi i
Bovillës është furnizuesi kryesor me rreth 50% të gjithë konsumit të ujit të pijshëm për qytetin e Tiranës dhe gjithë zonën e banuar për
rreth.

Relievi është kodrinor - malor, ku erozioni dhe rrëshqitja janë tepër aktive. Sipërfaqja e liqenit është 4.6 km dhe ka thellësi 18-53m.
Bimësia në pellgun e Bovillës përfshin katër zona fitoklimatike: Zona e pyjeve dhe shkurreve mesdhetare (300 – 600m), Zona e dushqeve
(600 – 1000m), Zona e ahut (1.000 – 1.600m) dhe Zona e kullotave malore (mbi 1.500m).
Në vitin 2006 në kanionet e Bovillës u zbulua një pikturë shkëmbore prehistorike e bërë nga një popullsi sedentare gjatë mijëvjeçarëve II
e I p.e.re. Tërësia e këtyre të dhënave është më se e mjaftueshme për të pohuar se brezi i makjeve në hapësirën midis lumit të Tiranës
dhe lumit të Erzenit gjatë epokës pre e protohistorik ka pasur kushte shumë të favorshme për banim referuar profesor Korkutit.

Zona përreth Bovillës ka një bukuri mahnitëse me ujëvarën e Bovillës, grykën e Bovillës dhe shkëmbinjtë përreth. Shumë agjenci dhe
operatorë turistikë e shfrytëzojnë këtë reliev për kacavjerrje dhe ngjitje në shkëmbinj. Në itineraret e tyre marrin pjesë përveç të rinjve
edhe mjaft turistë të apasionuar pas natyrës dhe aventurës. Itineraret variojnë në gradë vështirësie, nga të thjeshtat tek ato më të
vështirat, për t’u  dhënë mundësi të gjithëve në ngjitje dhe  kacavjerrje.
Mali i Gamtit
Mali i Gamtit (1268m) ndodhet në mes të malit të Krujës dhe malit të Brarit (maja e Priskës së Vogël). Vitet e fundit ngjitja në këtë mal
është kthyer në një itinerar mjaft tërheqës ku mund të shfrytëzohet ecja alpine dhe ngjitja mbi Gamt, në livadhet karakteristike me një
panoramë të shkëlqyer nga të gjitha drejtimet.
Si itinerar ndiqet rruga deri tek liqeni i Bovillës dhe nga aty fillohet ecja. E gjithë ecja shkon rreth 5 orë ngjitje zbritje.
Ura e Zall-Herrit
Kjo urë  me një qemer e ndërtuar në rrugën Krujë –Zall-Herr i takon shek. XVIII.
Ajo qëndron e mbështetur mbi shkëmb. Në faqet ballore ura është e punuar me gurë pllake të zinj të vendosur shtrirë ndërsa kalldrëmi
është i bërë me breza, tip shkallësh. Këto breza ngrihen mbi bazën e kalldrëmit rreth 10-15cm dhe shtrihen çdo 100-120cm.
4.        Ekonomi dhe mjedis
Ekonomia bazohet kryesisht në prodhimin bujqësor dhe blegtoral. Fshatrat e zonës së Zall-Herrit janë të pasura me pemë ulliri të cilat në
disa fshatra si Radheshi krijojnë një kurorë të gjelbër piktoreske.
Me zhvillimin e bujqësisë në vitet 70-të disa fshatra të kësaj zone u karakterizuan nga prodhimet e kultivareve të veçantë të perimeve
dhe drufrutorëve. Veçojmë kultivarin e patëllxhanit “Zall – Herr” si dhe kultivarin e pjeshkës “Alberto”.
Një ndër bimët më karakterizuese të zonës së Zall – Herrit është dhe mareja (Arbutus Unedo), e njohur për prodhimin e rakisë së
maresë dhe të mushtit të saj.
Të ardhurat kryesore të familjeve fermere të zonës janë nga produktet si ulliri, vaji i ullirit, disa perime, mjalti, qumështi, etj.
Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë iniciativën e promovimit të këtyre produkteve bio përmes festave lokale, të cilat po kthehen në një traditë
promovimi produktesh bujqësore e blegtorale në zonat rurale që rrethojnë kryeqytetin.